Pse eshte e veshtire te behesh mesues sot?



Për t'u bërë sot mësuese duhet të konkurrosh Mjekësinë sa u përket viteve. Hyn në fakultet 18 vjeçe e nuk dihet kur mbaron. Tri vite i merr Bachelori (shkove 21 vjeçe). Dy vite t'i merr Masteri (shkove 23 vjeçe). Një vit ta merr Praktika a Stazhi (shkove 24 vjeçe). E pasi kalojnë 6 vite, duhet të japësh Provimin e Licencës. E ja, u rendite e para. E më pas? Nëse vendet e punës janë zënë me mësuese të shkëlqyera që ende nuk kanë dalë pension, kjo do të thotë që nuk ka vend pune për ty. Duhet të presësh sa të dalë dikush në pension e të lirohet vendi ty. E ja, kaloi një vit pritje. Ka përsëri provim në Portal. Mund të dalë dikush më mirë nga ti në renditje e ty të shuhet shpresa për punësim. Kështu ikin 7 vite, 8 vite e me radhë e ty, dhe pse të ikën kaq vite, përsëri je e papunë.

E ja, hamendësojmë se ia gjete anën e u punësove. Sfida tjetër është brezi i nxënësve e brezi i prindërve të papërgjegjshëm të cilët as që kujtohen të vijnë në mbledhje me prindër, mirëpo të guxojë mësuesi/ja t'i bërtasë fëmijës së tyre që e kanë si engjëll (sipas tyre, por rrugaç në sjellje), këta prindër të telendisin.

Të jesh mësuese sot duhet të kesh dy fytyra, dy jetë, dy sjellje të ndryshme. E para është ajo në klasë ku përballesh me një brez nxënësish të llastuar e me prindër të papërgjegjshëm që ta vështirësojnë punën e të shtojnë stres. E jeta tjetër është ajo familjarja, ku hallet e shkollës mbyllen pasi del nga klasa e shkon në shtëpi. "Tani po kthehem në shtëpi. Ç'kusur kanë familjarët t'i bombardoj me streset e shkollës që kalova sot. Duhet të shtirem sikur asgjë nuk ka ndodhur e të shkoj në shtëpi e buzëqeshur." - mund të jetë mendimi i mësueses sot.

Në vend që të festohej, a nuk do të ishte më mirë që mësuesit të kërkonin më shumë të drejta të cilat ua kanë "marrë" nxënësit me këto programet e hartuara që merren copy paste nga Finlanda, Suedia e vendet e tjera nordike? Nuk ka lidhje konteksti i vendeve nordike me atë shqiptar. Nxënësi sot bën zhurmë e s'i bërtet dot se të filmon e të heq nga puna. S'i bën dot presion duke e nxjerrë jashtë se gjoja turpërohet para klasës e ta tregon qejfin kur të dalësh jashtë godinës së shkollës. Ka arritur një pikë ku ke frikë nga nxënësit e mendon: "Ta duroj dhe këto dy vjet sa nxënësi të diplomohet e të këpusë qafën të më hiqet sysh." A nuk duhet filluar presioni që në kopsht e fillore? Nëse nxënësi ka sjellje të keqe e nuk funksionon trekëndëshi mësues-prind-nxënës, le të ngelë që në klasë të dytë e të përsërisë vitin. Kështu do të jetë i shtruar kur të shkojë në 9-vjeçare, në të mesme e më tej.

Shkruar nga AMBRA GJETA
Share:

0 comments:

Post a Comment

ORION DIDO - ALDO KACORRI
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts