Ja pse nuk ka asgjë më të mirë për trurin, sesa leximi



SHKENCËTARËT KANË ZBULUAR SE TË LEXUARIT E NJË ROMANI MUND TË KETË EFEKTE TË MIRA QOFTË TE MENDJA QOFTË TE TRURI ME TË DHËNA QË MUND TË MATEN EDHE DERI PESË DITË PAS LEXIMIT

“Hakmarrje” ndaj librave mund të quhet rënia e lexuesve të epokës së sotme të cilët gjithnjë e më shumë po drejtohen drejt universit teknologjik. Megjithatë, për të “mbijetuarit” që janë të dashuruar pas librave vijnë lajme të mira: leximi i një romani i bën mirë mendjes dhe trurit. Shkencëtarët e Universitetit “Emory” në Atlanta sapo kanë botuar në revistën “Brain Connectivity” një studim në të cilin është treguar se si leximi për shembull i një romance, krijon një impakt shumë domethënës në mendje dhe në tru, veçanërisht me një rritje të lidhjes në dy zona të trurit të njohura si “sulcus qendror” dhe “korteksi temporal i majtë”. Për të kuptuar se cili do të ishte ndikimi i leximit te mendja dhe truri, neuroshkencëtari prof. Gregori Bërns(Gregory Berns) dhe kolegët e tij rekrutuan 21 studentë. Atyre iu kërkua që të lexonin romanin thriller të Robert Harris të titulluar “Pompei”. Ngjarjet e këtij romani zhvilloheshin në vitin ‘79 pas Krishtit, dy ditë para shpërthimit të Vezuvit që goditi qytetet e Pompeit, Herculaneumit dhe të Stabias.

Protagonisti kryesor ndër të tjera, duhet të shpëtojë nga shpërthimi edhe gruan që dashuron. “Për ne ishte e rëndësishme që libri të kishte një linjë narrative të fortë në mënyrë që pjesëmarrësit në studim të lexonin një libër me një traumë intrigante”, shpjegon prof. Bërns. Pasi pjesëmarrësit në studim nisën leximin e romanit, ata iu nënshtruan skanimit fMRI (rezonancës magnetike funksionale për imazhet). Ndërkohë, analizimi i tyre nga shkencëtarët zgjati për 19 ditë rresht. Studentëve, rezonanca magnetike u është bërë funksionale gjatë 5 ditëve të para kur ata ishin në gjendje pushimi. Pas kësaj, gjatë nëntë ditëve të tjera, studentët lexuan pjesë të veçanta të romanit deri sa nuk arritën në fund.

Për të verifikuar nëse kishin lexuar vërtet romanin dhe pjesët e veçanta, pjesëmarrësit iu nënshtruan edhe një sërë pyetjesh. Më pas ata u bënë sërish objekt i fMRI gjatë një faze pushimi në të cilën nuk kishin lexuar romanin për pesë ditë. Rezultatet e testeve treguan se leximi i një romani, novele, etj., shkakton efekte të qëndrueshme në pjesët e trurit përgjegjëse për gjuhën, ndërkohë që perceptimi ndodh tek pjesët e tjera të deleguara në krijimin e përfaqësive shqisore të trupit. Gjatë skanimeve fMRI të kryera në mëngjes, pas seancave të leximit, hulumtuesit gjithashtu vërejtën një rritje të lidhjes së korteksit temporal të majtë, e cila është një zonë e trurit që lidhet me perceptimin e gjuhës.

Mjeku Bërns vuri në dukje se kjo rritje e kësaj lidhjeje ka mbetur po kështu edhe në rastin kur studentët nuk e lexonin librin ndërsa ishin në fazën e skanimit të trurit. “Ne besojmë se ka një ‘aktivitet hije’, pothuajse si një lloj memorie muskulore”, komenton Bërns. Ky proces gjithashtu ka një ndikim në përvojat e përjetuara të trurit si për shembull, mendimi për të reaguar mund të aktivizojë neuronet që janë të lidhur me lëvizjen fizike.

Një tipar gjithmonë i posaçëm i romaneve të mira është aftësia për ta bërë lexuesin që të mund të identifikohet me protagonistin: paksa për të zënë vendin e tij, ose, për ta thënë me fjalë të tjera, të ecë me këpucët e tij; të jetojë emocionet e tij. “Ne e dinim se tregimet e mira mund të na bëjnë të ecim nën këpucët e dikujt tjetër, në kuptimin figurativ. Por tani ne po shohim se kjo mund të ndodhë në mënyrë organike”, thotë Bërns. Këto ndryshime biologjike janë vërejtur edhe pesë ditë pasi pjesëmarrësit kishin ndaluar leximin e romanit. Është tamam rasti të thuhet se një lexim i mirë është vërtet ushqim për mendjen dhe për trurin, sepse kjo gjë jo vetëm që stimulon fantazinë, kreativitetin dhe mendimin, por ajo gjithashtu mund të shkaktojë edhe ndryshime biologjike të vëzhguara. Përfundimisht leximi bën shumë mirë.
Share:

0 comments:

Post a Comment

ORION DIDO - ALDO KACORRI
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts