Skizofrenia, si e përjetojnë kultura të ndryshme



Nëse për amerikanët skizofrenia është një sëmundje mendore që i dhunon mendjen dhe privatësinë, indianët dhe afrikanët e shohin si këshillim nga të moshuarit dhe madje si zërin e Zotit
Sëmundja
Njerëzit që vuajnë nga skizofrenia mund të dëgjojnë shpesh zëra imagjinarë aq të tmerrshëm saqë mbeten të traumatizuar. Një pacient amerikan i përshkruan këta zëra “si të jesh duke torturuar njerëz në forma çnjerëzore”.
Një studim ka zbuluar se këta zëra mund të ndikohen nga kultura, ku perëndimorët përjetojnë psikoza më të frikshme.
Skizofrenia është një çrregullim mendor që i bën njerëzit të dëgjojnë “zëra” të cilët ata nuk duan t’i dëgjojnë. Kjo sëmundje e trurit prek rreth një për qind të popullatës globale nën moshën 18 vjeç. Në kulturat perëndimore njerëzit raportojnë të kenë dëgjuar zëra që i thonë se të tjerë persona i lexojnë mendjen, i kontrollojnë mendimet apo po komplotojnë t’i vrasin. Në Afrikë dhe Indi, këta zëra haluçinativë janë po aq të dëmshëm, sipas studimit të Universitetit Stanford në Kaliforni. Ndonëse nuk ka kurë për skizofreninë, ky studim këshillon se terapitë që i nxisin pacientët të krijojnë raporte me zërat imagjinarë, mund të jenë të dobishme.
Si pjesë e studimit, profesoreshë Tania Luhrman, intervistoi 60 të rritur të diagnostikuar me skizofreni, 20 nga Kalifornia, 20 nga Gana dhe 20 nga India. Mes tyre ishin 31 femra dhe 29 meshkuj në moshë mesatare 34 vjeç, të cilët u këshilluan të krijojnë raporte me zërat imagjinarë. Shumë prej afrikanëve dhe indianëve treguan se përjetuan eksperienca pozitive me zërat, por asnjë amerikan nuk pati shije të mirë. Subjektet amerikane të studimit treguan se përjetuan eksperienca të dhunshme dhe të hidhura.
Për shembull, ata treguan se zërat që dëgjonin i thërrisnin në luftë apo në fushëbetejë. Amerikanët përgjithësisht nuk e dinin se kush po u fliste dhe duket se kanë më pak lidhje personale me zërat që i torturojnë. Por tek indianët, më shumë se gjysma e zërave të dëgjuar ishin anëtarë të familjes që u kërkonin atyre të përmbushnin detyra. “Këta zëra janë përgjithësisht persona më të moshuar, që këshillojnë të rinjtë”, tha një subjekt. Po ashtu, indianët dëgjonin zëra më pak kërcënues se amerikanët, disa u shprehën se zërat që dëgjonin ishin manifestim i një farë magjie apo ndikimi shpirtëror. Nga ana tjetër, amerikanët u referoheshin zërave si problem psikologjik apo mjekësor, ndërsa indianët dhe afrikanët nuk mendonin kështu.
Në Ganë, ku kultura e pranon ndërveprimin me shpirtrat, pak subjekte e përcaktonin dëgjimin e zërave si sëmundje mendore. Kur iu kërkua të përkufizonin zërat, 10 prej pjesëmarrësve në studim u shprehën se ishin eksperienca pozitive, 16 prej tyre raportuan se ishte zëri i Zotit. Ndryshimi mund të qëndrojë në faktin se europianët dhe amerikanët priren ta shohin veten si individë të motivuar nga një ndjesi e identifikimit të vetes, tha profesoreshë Luhrman. Në zonat jo perëndimore, njerëzit e imagjinojnë mendjen dhe veten si të përcaktuar dhe të ndikuar prej të tjerëve. Për amerikanët, zërat ishin një kërcënim për privatësinë e atyre që i dëgjonin, ato nuk mund të kontrolloheshin.
Në Indi dhe Afrikë, subjektet nuk i kishin shumë problem zërat që dëgjonin, pasi i shihnin si mënyrë për të kuptuar më mirë botën. Kërkuesit mendojnë se në vendet jo perëndimore, pacientët i perceptojnë zërat si një marrëdhënie e jashtme dhe jo si cenim i mendjes. Zbulimet janë shumë të rëndësishme për nga aspekti klinik dhe mund t’i ndihmojnë kërkuesit të hartojnë terapi të veçanta për pacientë të kulturave të ndryshme. /gazeta-shqip/
Share:

0 comments:

Post a Comment

ORION DIDO - ALDO KACORRI
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts