Si të rindërtojmë vëmendjen



Le ta fillojmë me një lojë: Një lojë kompjuterike e krijuar posaçërisht ka ndihmuar në eliminimin e shenjave të plakjes së trurit për pjesëmarrësit që ishin në të gjashtëdhjetat apo shtatëdhjetat. Kështu, megjithëse ka shumë elementë që kërkojnë vëmendjen tonë njëkohësisht, përfshirë të gjitha ato pajisje elektronike që kanë mbushur shtëpitë tona dhe që shpesh dëmtojnë aftësinë tonë për t’u përqendruar, provat nga një studim i rëndësishëm që u publikua së fundmi tregojnë se trajnimi përmes një videoloje përmirësoi jo vetëm aftësinë për t’u përqendruar në punë, por edhe memorien afatshkurtër te njerëzit e moshuar.

Ti mund të kesh lexuar vetëm gjysmën e fjalisë së mësipërme në rast se je duke hapur postën elektronike në të njëjtën kohë, merr një mesazh në celular, ndërsa televizori po jep lajmet mbi Sirinë shoqëruar me zhurmën e shpërthimit të bombave. Këto janë situata të zakonshme ku truri ynë fillon të humbasë fuqinë njohëse në procesin e njohur si “plakje e zakonshme”.

Rënia e aftësisë sonë për të dalluar të rëndësishmen nga e parëndësishmja apo vështirësia në përqendrim, për fat të keq, nuk fillon në mes të jetës. Përkundrazi, ajo fillon rreth të njëzetave. Një studim që po vijon prej pesë vjetësh mbi memorien në laboratorin e dr. Adam Gazzaley në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko, identifikoi mekanizmat nervore që karakterizojnë këtë proces rënieje. Lidhja mes kushtimit të vëmendjes, filtrimit të ndërhyrjeve të shumëfishta nga jashtë dhe të mbajturit mend, janë shumë të rëndësishme.



Ja një mënyrë se si ne çorientohemi: Edhe përmendja rastësore e katastrofës që po zhvillohet në Siri në paragrafin e fundit mund të vërë në punë një dialog çorientues të brendshëm, ndërkohë që elementë të tjerë të jashtëm kërkojnë vëmendjen tonë. Në këtë rast, mund të jetë e vështirë të pranohet ideja se përdorimi relativisht për qejf i një loje kompjuterike do të ndihmojë në ndërprerjen e dialogut të brendshëm për luftën. Vijoni të lexoni këtë shkrim. Ndoshta mund të ndihmojë nëse ul volumin në disa kanale konkurruese. Ju lutem përqendrohuni pak.

Rezultatet

Ja ku është lajmi. Në një studim madhor, afatgjatë dhe të kontrolluar në mënyrë të imtësishme, kërkuesit në laboratorin e dr. Gazzaley demonstrojnë se ekspozimi modest ndaj lojës NeuroRacer, e cila është krijuar posaçërisht për këtë studim, ndihmoi pjesëmarrësit të përmirësojnë aftësinë për të eliminuar nga mendja informacionin e shumëfishtë çorientues për t’u përqendruar tek ajo që kanë detyrë të bëjnë. Kjo është një rrugë thelbësore drejt kryerjes së suksesshme të detyrave të shumëfishta. Tri eksperimente u kryen me 174 njerëz të grupuar sipas moshës, nga 20 në 85 vjeç. Efektet e trajnimit qenë të plota, duke treguar përmirësime të dukshme në aftësinë e lojtarëve më të moshuar për t’i qëndruar detyrës. Pjesëmarrësit në studim demonstruan aftësi shumë më të mira pas vetëm 12 seancash trajnimi të marra një orë në ditë, tri herë në javë. Një pjesëmarrës 79-vjeçar ia doli të marrë rezultate më të mira se sa një grup 20-vjeçarësh, të cilët nuk u përfshinë në trajnim, por u përdorën si grup për krahasime.

Dr. Gazzaley është një mjek që prej një dekade punon për të krijuar ndërhyrje për parandalimin e dallgës së plakjes së trurit. Neurologu shpjegon se ai synon të përforcojë aftësinë e të kuptuarit te njeriu, gjë që nënkupton fuqizimin e ndjenjës, fuqisë së të kuptuarit te të moshuarit e rritur. Më e rëndësishmja ishte që përmes monitorimit me elektrocefalografi (EEG), ai siguroi prova të rritjes së ndjeshme të aktivitetit në një zonë të korteksit ballor, pjesa e trurit përgjegjëse për kontrollin e të kuptuarit.



Gjithsesi, mjekët thonë se është gabim që rezultati i këtij studimi të interpretohet në mënyrë të tillë, sa ne të bindemi se videolojërat na ndihmojnë kundër plakjes së trurit. Loja e eksperimentit u krijua për të shënjestruar aftësi të caktuara. Ajo synoi të fuqizojë aftësinë e rezistimit ndaj ndërhyrjeve që kërkojnë vëmendjen tonë. Lojërat e zakonshme kompjuterike nuk e bëjnë këtë punë.

Studimi i fundit është një vijim i punëve të laboratorëve të tjerë në të gjithë botën që punojnë në neurologji.

Në të shkuarën, janë grumbulluar prova se ushtrime të tjera të mendjes, si zgjidhja e fjalëkryqeve apo mbajtja mend e numrave të gjatë, ndihmon kapacitetin tonë të të menduarit.

Por në vitin 2010, një studim i publikuar në revistën “Nature”, i hodhi poshtë të gjitha këto idetë e stërvitjes së trurit si mjete për përmirësimin e memories. Neurologu me famë botërore, Adrian Owen, thotë se eksperimente të tilla janë iluzive në rezultate.

“Thelbi i stërvitjes së trurit është që kapaciteti i trurit përqendrohet në një detyrë të caktuar”, tha ai në një emision televiziv të transmetuar nga BBC vitin e kaluar. “Ne të gjithë e dimë se nëse bëjmë diçka në mënyrë të përsëritur, në fund do të përmirësohemi në kryerjen e saj. Por a sjell kjo një përfitim të përgjithshëm në fusha të tjera të jetës apo në funksione të tjera konjiktive? Nëse dëshiron të luash më mirë violinën, atëherë stërvitesh me violinë. Është e sigurt që nuk do të luash më mirë violinë në rast se stërvitesh me trombë”.

Konkluzioni është që stërvitja e trurit me çfarëdolloj mjeti, lojë elektronike apo jo, nuk të bën më të mirë në fusha të tjera. Disa neurologë mendojnë se studime të tilla marrin reklamë të pamerituar si dhe nxisin një industri miliardere të shërbimeve mjekësore të krijuara nga shqetësimi i njerëzve nga pasojat negative të plakjes së trurit.

Në një analizë të përgjithshme të studimeve të tilla që sjellin edhe produkte tregtare, Qendra e Stenfordit për Jetën e Gjatë ka paralajmëruar më herët se këto produkte, nga lojërat kompjuterike te suplementet ushqimore “bazohen në konkluzione të patestuara dhe në shumë raste, haptazi false”.



Me fjalë të tjera, nëse merr vitamina apo bën ushtrime truri, ka pak gjasa të sjellë përmirësime në jetën reale.

Gjithsesi, në studimin e fundit, 11 kërkues në laboratorin Gazzaley prezantuan ato që mendojnë se janë prova bindëse të efektit të përgjithshëm.

“Deficitet e lidhura me moshën në sinjalet nervore të kontrollit konjiktiv, të matura me elektroencefalografi, shënuan përmirësime të forta gjatë trajnimit me detyra të shumëfishta”, shkruan ata. Sipas tyre, përdorimi i një loje të krijuar posaçërisht, sjell përmirësime mes të rriturve jo vetëm në aftësinë e tyre për të luajtur, por edhe në rritjen e aktivitetit të atyre pjesëve të trurit që lidhen me kontrollin konjiktiv.
Share:

0 comments:

Post a Comment

ORION DIDO - ALDO KACORRI
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts