Ebola u shpik nga SHBA-të?



Nga Afrika Perëndimore, në pak muaj, virusi Ebola është përhapur në Europë e ka mbërritur deri në Teksas të Shteteve të Bashkuara. Më shumë se 4500 veta duket se kanë humbur jetën deri tani nga virusi që sipas shpjegimeve të ekspertëve të mjekësisë, ka ardhur nga lakuriqët e natës dhe është përcjellë te njeriu pas kontakteve me gjakun e kafshëve të infektuara. Me përhapjen e virusit ka nisur sigurisht edhe një epidemi tjetër: ajo e teorive konspirative për prejardhjen e tij! Në fakt, Ebola është nxitësja klasike e këtyre teorive: një vrasës i heshtur që futet pa u kuptuar në trupin e njeriut dhe qëndron i fshehtë për javë të tëra para se të godasë.
Prestigjiozja amerikane “The New York Times” ka renditur disa prej këtyre teorive, të cilat, sipas saj, kanë kaluar cakun e internetit dhe kanë zënë vend edhe në mediat më serioze amerikane. Një teori është e botuar që në shtator në një gazetë liberiane, e cila e konsideron Ebola-n jo si një katastrofë mjekësore, por si një armë biologjike e ndërtuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ulur numrin e popullsisë në botë, transmeton Oranews.
Nuk kaloi shumë dhe akuza të tjera u hodhën në drejtim të Qendrës Federale për Kontrollin e Sëmundjeve, me pretendimin se ajo kishte patentuar virusin dhe po përgatitej që të fitonte miliona nga bashkëpunimi me kompanitë farmaceutike që do të krijonin ilaçin. Ndërsa raportimet e teorisë klasike të Rendit të Ri Botëror që e ka përhapur virusin me qëllim krijimin e panikut për të çuar botën drejt shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme tashmë është konsumuar.
Sipas “The New York Times” ajo që habit është se figura të shquara amerikane të krahut konservator po i mbështesin herë pas here këto teori. Analistët politikë, Rash Limbau dhe Laura Ingraham, kanë arritur deri aty se kanë akuzuar Presidentin Barak Obama se po dërgon trupat amerikane në Afrikë, duke rrezikuar jetët e tyre, nga ndjenja e fajit për skllavërinë dhe kolonizimin e kontinentit. Teoritë konspirative kanë ecur gjithnjë paralel me ngjarjet, duke ofruar shpjegime të asaj që ndodh pas kuintave. Por për profesorin e Syracuse University në New York, Michael Barkun, nuk duhet të provohet që këto teori janë të vërteta për të kuptuar se ato pasqyrojnë frikën e vërtetë të shoqërisë. Ndërsa sipas profesorit të Universitetit të Floridas, Mark Fenster, edhe pse teoria që industria farmaceutike po komploton për të fituar miliona mund të duket si fabula e një triler, ajo vërteton problemet reale që ka shërbimi shëndetësor në SHBA, ndërkohë që njerëzit ndihen të pafuqishëm përballë qeverisë dhe kanë tendencën të besojnë ato që thuhen kundër saj.
Share:

0 comments:

Post a Comment

ORION DIDO - ALDO KACORRI
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts