Albanopolisi, qyteza antike “më e bukura në botë”, i braktisur



Hapësira që shtrihet nga dritaret e zyrave tona në drejtimin verior, në këto ditë të kthjellëta dhjetori, na shfaq qartazi Krujën dhe kodrinën ku “fshihet” qyteza. Të ngacmuar nga kronika e gazetarit Marin Mema, nxitemi të shkojmë në Albanopol, kryeqendra e fisit ilir të albanëve, duke menduar se kjo qytezë vlen të shihet si nga shenjat më të rëndësishme të identitetit kombëtar.
Donim të preknim mbetjet e saj, nga koha e lulëzimit pesëshekullore prej veprimtarisë prodhuese e tregtare. Përshkojmë atë copë rruge që ndan Tiranën me Fushë-Krujën dhe marrim për në Krujë. Ende pa filluar e përpjeta, kthejmë djathtas në katundishten Halilaj dhe pasi përshkojmë në mënyrën më komode rrugën e shkurtër, e përshtatshme për çdo automjet, mbërrijmë në rrëzë të kodrinës. Para nesh shfaqet Albanopoli, ku pa vështirësi mund të shohësh gërmadhat. Fillojmë ngjitjen. Pak njohuri historike që mund t’i gjesh lehtësisht
Sipas studimeve të dijetarit të shquar shqiptar, prof. Selim Islamit, qyteti ka lulëzuar nga mesi i shekullit IV deri në shekullin I para erës së re. Pozicioni i tij vërteton atë që ka shkruar Tuqiditi se ndërtimi i qyteteve mesdhetare në njëfarë largësie nga deti shpjegohet me frikën që banorët kishin nga piratët. Në vendin ku Ptolomeu vendos Albanopolin gjenden rrënojat e lashta, që për shkak se ndodhen në afërsi të katundit Zgërdhesh, morën emrin e tij. Studiues dhe arkeologë kanë hamendësuar se ka gjasa që të mos ketë pasur qytet me emrin Albanopolis, meqë kultura helenike dhe shkruesit e saj, në këtë rast Ptolomeu, i helenizonin emërtimet. Qytetin që i takonte fisit Albanoi, ai e emërtoi Albanopoli – Qyteti i Albanëve. Mirëpo, pasi merr dijeni se në rrethinat e Shkupit kohë më parë është gjetur një stelë me përmbajtjen Albanop(ol), hamendësimet vihen në dyshim.
Nisja më e mirë e këtij artikulli na u duk sjellja nga qershori i vitit 1943 i një studimi botuar te “Hylli i Dritës”, shkruan “Shqip”. Mes të tjerash, ja çfarë shkruhet: “…Gërmadhat e Zgërdheshit gjinden nj’a dy orë larg Krues e nj’a 15 minuta prej Fokës në rrugën e Krues. Këto gërmadha u zbuluen së pari nga Hahn-i vetë, mbasandaj u eksploruese edhe u studjuen deri diku nga arkeologët Praschniker e Schober. Simbas mendimit të këtyre dijetarëve, muret e fortesës, që shifen sot aty-këtu në kambë, kanë nji teknikë ndërtimi të vjetër, që i gjan asaj t’akropolit të Leshit. Shpërndamja e tjegullave në nji hapësi të madhe tregon se këtu dikur ka qenë nji qytet i madh, i cili, nga enët helene e helenistike që janë gietë, len me kuptu se ka qenë në marrëdhanëje kulturore të mira e të rregullshme me Durrsin. Gurët e mureve të fortesës janë të skalitun e të mëdhaj. Gërmadhat gjinden në lagjen Kakariqe të Zgërdheshit, sipër nji kodre që sot asht mbulue me shqope e ferra, sa s’të lanë me pa kurrgja për së largu. Pa ba gërmime se ç’qytet ka qenë këtu, s’mund të kuptohet… se a ka qenë Albanopoli! Duhet të presim gërmimet, të cilat s’asht larg mendjes që të na apin edhe ndonji përgjigje negative.
Për të shenue me siguri se ku gjindet Albanopolis nuk gjejmë bazë kurrkund, përveç gjeografisë se Ptolemeut, pse i pari … që e përmend ket qytet asht vetëm kjo gjeografi”. Përshkrimi i bërë për terrenin dhe kërkimet, 70 vjet përpara, ngjan si me qenë dje. Asgjë nuk ka ndryshuar. Janë po ato ferra, shkurre, driza, shkozë e shqope të pakalueshme, të cilat nuk të lejojnë të shohësh qartazi e të prekësh tërësinë e shtrirjes së qytezës antike. Sa u përket gërmimeve dhe zbulimit, ngelen ato që diheshin 60 vjet përpara. Asgjë e re nuk është shtuar (përpos pluhurit vdekjeprurës të fabrikës idiote të prodhimit të çimentos ndërtuar në zemër të historisë sonë, për të fëlliqur si ambientin ashtu dhe historinë)! Ky është edhe qëllimi i këtij shkrimi: pse ngjet kjo, që një pasuri arkeologjike me përmasa të papërfytyrueshme, sepse bëhet fjalë për qytezën prej nga na vjen emri, të ngelet e braktisur? Pavarësisht terrenit, ne, dy numizmatë, që ndihemi njohës të monedhave, mes të cilave dhe të lashtësisë, para së gjithash, qytetarë të këtij vendi me interes për ta njohur këtë ngulim të lashtë, ia bëmë të mundur brenda disa orësh që të mos linim asnjë cep të saj pa shkelur, nga fillimi i kodrinës qytezë e deri në majë.
Fragmente të mureve rrethues, ballore dhe anësore, si dhe të ndërtimeve që kanë lulëzuar atje, ta japin lehtë përfytyrimin e një qyteti, në mos hijerëndë, të pushtetshëm, të ngritur sipas gjithë botëkuptimit të njeriut të epokës që e lindi, pra, me organizimin brenda mureve rrethuese, ndoshta të akropolit, agorës, pallateve të parisë qytetase dhe mbase bibliotekës e teatrit. Ngelet t’i kërkojmë, në mos muret, mbetjet themelore të shtrirjes. Shfletojmë “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë: faqe 268, libri III, Ptolemaei, Geographia, kap.12, “Vendi që zë Maqedonia”, 20. Në tokën e Albanëve (Albanoi), Albanopolis, 46.0, 41.0 5’.
Vetëm kaq dimë për këtë vendbanim të hershëm ilir, për të cilin, ngase ndodhej në Parthini, te “Arbëria mesjetare” e P. Xhufit, termin Alban (Alb=i bardhë) e cilëson si përkthim të emrit Parthen (të Bardhët) që mbante fisi ilir. Shtrirja gjeografike e këtij fisi përkon me atë të Albanëve dhënë nga Ptolemeu, në prapashpinë të Durrësit e që e gjejmë të rishkruar nga Ana Komnena (1083-1146), e bija e perandorit bizantin, Aleksi I, e cila, në historinë e saj të njohur, shkruante se popullsia, që ndodhet pas Durrësit, e quante veten “Arbanez”. Hamendjet e vendndodhjes kanë përfshirë, me studime, përpos Zgërdhedhit, tre vendbanime të tjera: Elbasanin, Tiranën dhe Persqopin. Përcaktimi i Han-it nuk besoj se është lëkundur ndopak nga këto sjellje hipotezash, pavarësisht këmbënguljes të përkrahësve të versioneve të tjera se “Han ka gabuar”, sa kohë prej tyre nuk i janë sjellë shkencës së arkeologjisë argumente bindëse. Kërkimet e para i bënë shkarazi austriakët dhe italianët, që rilevuan sistemin fortifikues, me muret karakteristike rrethuese të ndërtuar me blloqe gurësh kuadratikë shumë të mëdhenj. Pas vitit 1950 u bënë disa ekspedita më të plota, të cilat nxorën në dritë një pjesë të rrënojave. Qëllimi ynë nuk është të provojmë sa debatohet, se ato janë zotërim i arkeologëve e studiuesve, ndaj e marrim të mirëqenë këtë Albanopol që është pranuar deri tani.
T’i kushtojmë vëmendje ringritjes së gërmadhave të lashta, sepse na jep identitet Është “më e bukura në botë” sepse ka të veçantë emrin me të cilin ajo na pagëzon. Asnjë nga popujt tanë fqinj nuk ka fatin si ne që emri me të cilin thirren t’u jetë përmendur 18 deri 20 shekuj përpara, përfshi këtu grekët dhe italianët. Askush më mirë se kjo qytezë, e pranuar tashmë në shumicë studimore si Albanopoli, nuk i shkrin si vesa e mëngjesit dokrrat serbe e të tjerë armiq shekullorë, se ne jemi të ardhur, se nuk jemi pasardhës autoktonë, etj. Është vetë emri ynë, Alban, që flitet, përdoret e trashëgohet pareshtur për ne nga popujt e tjerë dhe këto rrënoja që emërtohen si dhe ne. Historia e ka metodë të saj rindërtimin e së kaluarës me anë të rudimenteve. Thelbi i kësaj metode është që përmes tyre të nxjerrësh përfundime për ato kohë. Dhe fati është në anën tonë. Dhjetë hektarët ku shtrihet qyteza antike janë pothuaj të pagërmuara, janë gërvishtur paksa. Ekspedita nxori në dritë muret rrethues, (diku thuhet 70 metra, diku tjetër përmenden 90 metra, por me sy të lirë shihet se janë shumë e shumë më tepër) disa shkallare e pak rrënoja ndërtimesh. Më në thellësi, siç është gërmuar në Butrint, Apoloni e Bylis, ka pak gjasa të jenë bërë. Albanopoli pra është i paeksploruar! Sapo të fillosh të gërmosh e të studiosh Albanopolin, do të gjendesh me siguri në gjurmët e një qytetërimi të lashtë të Mesdheut, si dhe përpara një vlere e pasurie të madhe të trashëgimisë të vendit tonë. Kemi bërë shumë gabime, por një nga më të mëdhatë është braktisja në këta 25 vjetët e fundit të financimit të gërmimeve arkeologjike ose kufizimi në minimumin “jetik” të tyre, një lajthitje që flet se jemi ende në stadin e kalimit të sëmundjeve foshnjore, politike, ekonomike, por sidomos shoqërore. Qeverisjet individualiste që ka kaluar vendi ynë, vetëkuptohet, që në kushtet kur hirësitë nuk durojnë hijen e tyre, as denjojnë të marrin këshilla. Për më tepër kryeministra e ministra që të lexojnë gazeta me tema të tilla, nuk kam pasur fatin të njoh. Kështu që, ai qeveritar që thotë pareshtur e pareshtur, se jemi shtet i varfër, nuk ka gjasa të gjejë ndonjëherë mjetet ekonomike e të hartojë projekte për ringritjen e gërmadhave të lashtësisë, si pasqyrë e tregues të rrënjëve tona. Dhe jo vetëm për Albanopolin, por edhe për Persqopin e Dorëzin, që ndodhen anë rrugëve kombëtare, pak kilometra larg kryeqytetit. Apo për Orikun, që marrëzisht vazhdon të jetë peng i një reparti ushtarak.
Të flasim haptazi: kemi pasur njëtrajtshmërisht qeveri të pavendosura për rrugëdaljen dhe fushat ku ajo dhe populli do të duhej të vepronte e shkarkonte energjitë e saj. Mjerisht dhe sot, energjia është përqendruar në prishjen e atyre ndërtimeve dhe investimeve, ku pa leje ndërtimore u derdh më kot energjia e kursimet e një populli që kalonte tranzicionin e sistemit. Miliarda të harxhuara kot e dhjetëra miliona për t’i prishur (?!). T’i bëjmë qytezat e lashtësisë ilire të vizitueshme, me burim të ardhurash e dhënie të kënaqësive jetësore
Po të ishim më të përgjegjshëm, këto rrënoja do të “lulëzonin” nga udhëkalimet, nga sipërfaqet e pastruara, nga kujdesi i dorës së njeriut dhe nga mure të ringritura, do gëlonin nga turistët dhe vizitorët. Shqiptarët, që me aftësinë dhe mendjen e tyre, me ndjesinë artistike, i kanë dhënë qytetërimit Taxh Mahalin, Xhaminë Blu dhe Xhaminë Sulejmanie, tri nga veprat arkitekturore më të vizitueshme në botë, (Mehmet Isai, Sedefkar Mehmet aga, arkitekt Mimar Sinani) ndërsa kanë lulëzuar tokën e huaj, vendin e tyre, nën valët rrënuese të kohërave, e lanë një grumbull gurësh, si Rozafatin, Krujën, Lezhën, Beratin, Kaninën, Albanopolin, Persqopin dhe Bylisin. Një shtet si ne, ku prodhimi i mallrave ose nuk ekziston, ose është i papërfillshëm, ku toka bujqësore është braktisur, turizmin kulturor do ta kishte një orientim strategjik. Në të vërtetë ka vetëm fjalë,…blla, blla, blla, nuk ka strategji veprimi, nuk ka politika. Albanopoli, kaq afër Tiranës dhe Durrësit, i vendosur mes tyre, në fushëkalimin e një prej pjesëve më të zhvilluara të vendit, dhjetë kilometra larg Aeroportit të Rinasit, vazhdon të ngelet i panjohur, pa vëmendje, shumë më pak se një gërmadhë varreze. Por, ndërsa varrezat vizitohen më shpesh, këtu nuk shkel këmbë njeriu.
Kur hedhim një vështrim në të kaluarën e afërt dhe vërejmë me paanësi përparimin që kemi bërë, nuk mund të mos besojmë që ndryshimi do vijë edhe për ngritjen në nivele më të larta të kulturës së mbartur nga të parët dhe fondeve trashëgimore të saj. Ndërsa shohim se nuk rreshtin përpjekjet e popullatës për emigrim e nuk mungojnë aspiratat e shumë prej nesh për ta gjetur lumturinë jashtë vendit atëror, njëherësh në anën tjetër vërehet se kemi një rritje të shtresës së mesme të popullatës me interesa kulturore, kemi të pranishëm arkeologë të mirëpërgatitur, kemi një shumicë me dashuri pa fund për këtë vend, ndaj duhet pareshtur të kërkojmë atë politikë e kulturë që e meritojmë. Heshtim apo e kundërshtojmë!
Është e pamundur të ngelesh i mëparshmi pasi nga lartësia prej 245 metrash e kodrinës ku dergjet Albanopoli, sheh përpara shtrirjen e magjishme të një hapësire që mbyllet në vijën e horizontit me Durrësin. Vizita në Albanopol shoqërohet me ndikimin tronditës mbi mendjet dhe shpirtrat tanë, kur marrim me mend se pyetjes sonë: pse kjo harresë dhe braktisje e kësaj pasurie? Pse gërmadhat e Albanopolit nuk përtërihen? – do t’i përgjigjen me buzëqeshje shpërfillëse. Një pjesë e popullit heshtin ndaj nevojës për ringritjen e këtyre qytezave për t’i bërë të vizitueshme (siç i kanë fqinjët tanë) të ndodhur nën peshën e mospërfilljes që u ka diktuar sa jeta, aq dhe qeverisja; një pjesë tjetër kundërshtojnë përmes shkrimeve, kronikave televizive dhe…kaq, asgjë më shumë. Shpejt dhe ata thyhen dhe kalojnë te grupi që hesht, te gjendja poshtëruese, te nënshtrimi ndaj dogmës “shteti ka halle të tjera”. Në këtë ligësi, njeriu që ka bërë jetë arsyeje e të mendjes esëll dhe nuk do të bëhet pjesë e gjykimit se si shpërndahen fondet qeveritare, nuk i mbetet veç të shkruajë, duke u vyshkur e duke humbur besimin se një ditë do bëhemi siç aspirojmë për t’u bërë Ne, “vendi i varfër”, në këto 24 vjet demokraci, pasi i kemi dhënë dërrmën investimeve që na ngrenë dhe na rrisin krenarinë kombëtare, si ai i risjelljes nga e kaluara e trashëgimisë, i kemi shtuar godinës së Ministrisë së Mbrojtjes një tjetër simotër ngjitur, pa pasur mbrojtje; kështu dhe me Ministrinë e Bujqësisë, pa pasur bujqësi; pa qenë nevoja i dhamë Bankës Kombëtare një tjetër godinë, hotel “Dajtin”, me plot 30 milionë euro; kemi dhënë para me tepri për festa ku është shpalosur jo art, por lakuriqësi e plot shembuj pa fund, tregues të rritjes së shpenzimeve burokratike, në rrethana kur fondet e arkeologjisë nuk do mjaftonin për të hapur qoftë edhe një kanal “tercial”, siç e quajnë agronomët. Rrëfenja e avokat Ngjelës me atë këshilltarin e kryeministrit të cilit i tha, “…kur të arrish t’i japësh kryeministrit një këshillë, eja më thuaj”, do mbetet lapidari i një filozofie që udhëheq jo vendet e varfra, por mendjet e varfra, krerët e së cilës shtiren sikur qeverisin.
Jemi gati të heqim dorë nga këto mendime “të mbrapshta”, nëse ndonjë kryeministër do arrijë ta bëjë Albanopolin pronë të të gjithë qytetarëve. Do jetë burim lumturie e kënaqësie për të gjithë ne. Mund të mos kemi fonde të mjafta për të gjitha rigjallërimet e objekteve që na vijnë si perla të një gjerdani nga lashtësia, por për Albanopolin, (po të kishim gjë në dorë) do t’i gjenim pa derman, do ta nxirrnim nga nënshtrimi i harresës. Mbishkrimi nga stela që ndodhet në jugperëndim të Shkupit, e cila ka dhënë dëshminë e vetme deri më tani me karakter epigrafie mbi ekzistencën e qytetit Albanopolis. U gjet në vitin 1930, në një çezmë të vjetër e të braktisur të fshatit Gorno Sonje. Publikimi është bërë në vitin 1981, nga studiuesja maqedonase Borka Dragojeviq – Josifovska, por mbishkrimi nuk është i plotë. Kjo duket ngaqë stelës duket se i mungon pjesa e poshtme, ndaj supozohet se atij mbase i mungojnë edhe dy rreshta të tjerë të tekstit. Kështu duket teksti origjinal i mbishkrimit: Posis Mes/tylu f Fl / Delus Mu/cati f dom / Albanop/ ipsa Delus /
Ndërkaq, më poshtë pason transkriptimi i mbishkrimit:
Posis Mes/tylu(!) f(ilius) Fl(avia) / Delus Mu/cati f(ilia) dom(o) / Albanop(oli) / ipsa Delus /
Dhe, kështu duket një version i përkthimit në gjuhën shqipe të mbishkrimit:
Posis Mestylu, i biri i Flavia Delus të së bijës së Mucatus, me vendbanim në Albanopolis
Share:

0 comments:

Post a Comment

ORION DIDO - ALDO KACORRI
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts