Përse ua rrëfejmë sekretet tona të huajve?

Provoni të pyesni rrotull e do të bëni një zbulim të çuditshëm, sa u përket udhëtimeve me tren e me avion: pothuaj të gjithë kujtojnë se kanë “ngecur” në krah të një të panjohuri, që nuk pushon kurrë së llomotituri me detaje mbi shëndetin e tij, punën ose martesën, por pothuaj askush nuk do ta pranojë që i ka ndodhur e njëjta gjë.
Ndofta ekziston me të vërtetë një tip që e kalon jetën në transportin publik duke treguar vetë faktet e që, herët a vonë, të gjithë e kemi takuar. Por një shpjegim më i ngjashëm, në dritën e studimeve të sociologut të Harvardit Mario Luis Small, është që u besojmë të huajve më shumë sesa mendojmë. Shumë studiues thonë se“personat me të cilët flasim më shumë” janë ata që i kemi më të afërt. Ideali romantik modern është “të martohesh pikërisht me mikun më të mirë”, dikush që është në të njëjtën kohë i dashur, i besueshëm, baba ose nënë e fëmijëve dhe mik/mike në pije. Megjithatë, nga një sondazh me pyetjen “kujt i je hapur herën e fundit?”, rezultoi se rreth gjysma e të intervistuarve është përgjigjur që nuk bëhej fjalë për një person të rëndësishëm për ta, por për një barist, një parukier ose ndofta dikë, me të cilin kishin “ngecur” pranë dritares në një fluturim prej gjashtë orësh.
Mund të duket një lajm shumë i keq: në këtë botë të atomizuar jemi kaq të dëshpëruar për t’u hapur me këdo që është i gatshëm për të na dëgjuar? Në një pakicë rastesh, thotë Small, motivi i vërtetë është thjesht disponueshmëria, por shumë herë “shfryhemi” me persona të huaj pikërisht sepse janë të huaj. Sa për të filluar, nuk duam të diskutojmë marrëdhëniet tona jashtëmartesore me bashkëshortin tonë, ose ndofta nuk duam që një vëlla ose një motër të shkojnë t’i tregojë një familiari tjetër problemet tona financiare. Por mbi gjithshka i braktisim me dëshirë në atë që sociologët e quajnë “downward social comparison”, që do të thotë na pëlqen të mendojmë që jemi më lartë të tjerëve. E kjo arrihet më me vështirësi me njerëzit e afërt, pasi nëse mendojmë që miku ynë më i mirë nuk është asgjë, atëherë përse e kemi zgjedhur si mik?
Të flasësh me dikë që nuk e njeh mirë sjell edhe avantazhe të tjera. Kjo na ndihmon të kuptojmë përse analistët tentojnë t’i përgjigjen çarëdo pyetjeje personale me një tjetër pyetje (“Përse është e rëndësishme për juve ta dini?”).
Analisti, thoshte Frojdi, “duhet të jetë jo i tejdukshëm në sytë e pacientit të tij, duhet të jetë si një pasqyrë e të mos tregojë tjetër përveç asaj që pacienti i tregon atij”. Për shembull, dijenia se personi i ulur në kolltuk “ka tre fëmijë dhe i bie harmonikës”, me siguri do t’i prishte punë procesit psikanalitik.
Por nuk është nevoja të ndash teoritë e Frojdit për të kuptuar avantazhet e të qënit të detyruar të dëgjojmë atë që themi, e si pasojë duke reflektuar mbi të. Një mik mund të ndërhynte për të na siguruar, ose për të thënë se çfarë do të bënte në vendin tonë. Pa dyshim do ta bënte me qëllimet më të mira, por nuk do të ishte shumë e dobishme.
Ndoshta tendenca jonë për t’i besuar atij që nuk është një i afërm shfaq pak a shumë atë të cilën në esenë e tij të famshme, sociologu Mark Granovetter  e quan “forca e lidhjeve të dobëta”. Shumë nga avantazhet që rrjedhin nga përkatësia në një rrjet social, “me sa duket, nuk rrjedhin nga lidhjet tona të forta, por nga ato të dobëta”. Kush kërkon punë, mund të lexosh në ese, e gjen me më shumë lehtësi përmes lidhjeve më të dobëta. E kjo na sjell të mendojmë sa martesa e sa miqësira mund të shpëtoheshin nëse nuk do të pretendohej që njerëzit të kryenin të gjitha rolet e mundshme brenda një marrëdhënie.
Megjithatë, tani pushoj së foluri e iu lë të ktheheni ndaj librit tuaj. Nga një moment në tjetrin “avioni do të ulet në tokë” :).
Share:

0 comments:

Post a Comment

ORION DIDO - ALDO KACORRI
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts