E dënuar sepse jam një femër...

     I dashur baba!
     Ti që më martove që në barkun e nënës. Ti që edhe kur ime më më solli në jetë, qaje jo nga gëzimi, por nga dëshira e paplotësuar për të patur një djalë. Ti që ma mohove fëmijërinë, që nuk më le kurrë t'i qepja fustanet kukullave të mia Barbie me duart e mia të vockla. Ti që kurrë s'më lejove të dilja me shoqet e t' u bashkohesha atyre në sheshin e lagjes. E pse? Sepse femrat duhet të mësonin të bënin punët e shtëpisë, kjo ishte detyra e tyre. Ti që nuk më lejoje t'i përkushtohesha shkollës sepse fati im ishte i paracaktuar. Ti që më trajtove gjithmonë si një objekt që duhej të dilte nga shtëpia sa më shpejt, e kurrë si fëmijën tënd. Ti që m'a lidhe jetën me dikë që as fytyrën nuk ia kisha parë ndonjëherë. Ti që më dënove sepse unë isha një femër...
       Po ti nënë? Zgjedh të besoj se ti ishe e pafuqishme kundrejt çdo mizorie e padrejtësi që ndodhte kundrejt meje, por ashtu si unë edhe ti e di mirë që nuk është aspak ashtu. Përkëdheljet e sforcuara apo edhe fjalët e shtirura prej nëne, nuk të bëjnë ty më të mirë se im atë në sytë e mi. Një nënë nuk e mëson të bijën se si të sillet tek shtëpia e bashkëshortit e si të ulë zërin kundrejt padrejtësive. Një nënë e mëson të bijnën se si t'ia dalë në jetë, e si të mësojë të jetë e zonja e vetes. Ti që kurrë s' më konsiderove njësoj me tim vëlla. Ti që më pe gjithmonë me një sy tjetër. Ti , ti që më dënove sepse isha femër...
     Dhe ti i ashtuquajturi "bashkëshort"!
Ti që shfrytëzove pafajësinë time vajzërore e naivitetin pothuajse fëmijëror. Ti që kurrë nuk në pe si një grua, si personi me të cilin do të ndaje jetën. Ti që më pë gjithmonë thjesht si një objekt, që do të të siguronte ty vazhdimësinë e familjes, që do të dillte në jetë pasardhësit e tu. Ti, ti që më dënove sepse isha femër.
       Dhe tani është radha ime! Fajin në supe e mbaj unë, vetëm unë. Unë që nuk munda të ngrija zërin atëherë kur duhej. Unë që nuk i ndoqa ëndrrat e mia. Unë që s' munda të nisesha dot në fluturim me dallëndyshet shtegëtare. Unë që i burgosa ëndrrat e mia të pambarimta. Unë duhet të kisha fluturuar më parë. Pse m' u thyen krahët? Apo dhe unë vetë e dënova veten sepse isha një femër?!
Share:

0 comments:

Post a Comment

ORION DIDO - ALDO KACORRI
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts