Pranimet te Sportet e Artet , zbardhen kriteret e konkursit

Universiteti i Arteve të Tiranës dhe Universiteti i Sporteve të Tiranës kanë përcaktuar kriteret e pranimit për vitin akademik 2016-2017. Ashtu sikurse vitet e kaluara, pranimet në pesë fakultetet e këtyre universiteteve do të jenë nëpërmjet konkursit të pranimit. “Gazeta Shqiptare” zbardh detajet për secilin prej fakulteteve, Fakultetin e Arteve të Bukura, të Artit Skenik dhe atij të Muzikës. Pasha e konkursit tek Artet është kryesorja për të fituar një program studimi, pasi përbën 70% të pikëve, ndërsa 30% janë nga mesatarja e shkollës së mesme. Universiteti i Sporteve (UST), këtë vit i ka dhënë më shumë rëndësi konkursit të pranimit, pasi ndryshe nga vitet e tjera, kur 50% të pikëve maturantët i fitonin nga matura dhe 50% nga testi praktik, këtë vit këtij të fundit i kanë dhënë 60% të pikëve, ndërsa 40% kandidatët i fitojnë nga nota mesatare. Datat e konkursit do të shpallen me udhëzim të Ministrisë së Arsimit, ato pritet të jenë javën e fundit të muajit gusht. Pasi në shtator kandidatët fitues do të bëjnë regjistrimin në programet e studimit ku kanë fituar. Konkursi do të zhvillohet në ambientet e këtyre fakulteteve.

Arti Skenik & muzika
Fakulteti i Artit Skenik në Universitetin e Arteve ka publikuar kriteret e pranimit për maturantët që dëshirojnë të hynë në konkursin e pranimit pranë këtij fakulteti. Në këtë fakultet konkursi do të zhvillohet për pesë programet e studimit që ofrohen, Aktrim, Skenografi-Kostumografi, Regji, Koreografi dhe Regji Filmi dhe TV.
Në programin e studimit Aktrim, kandidatët duhet të interpretojnë përpara komisionit të pranimit materialet: tregim, poezi, monolog (i zgjedhur nga vetë kandidati konkurrues); monolog nga dramaturgjia klasike botërore si Rasin, Kornej, Molier, Shekspir etj. (i detyruar); një fabul ose anekdotë; bashkëbisedim mbi njohuritë e letërsisë dhe teatrit shqiptar dhe botëror; bashkëbisedim mbi njohuritë e kinematografisë shqiptare dhe botërore. Koha në dispozicion për paraqitjen e materialeve të kandidatit për student është 30 minuta. Koha e zgjatjes së konkurrimit në programin Aktrim është në varësi të numrit të kandidatëve pjesëmarrës. Në këtë program vetëm 12 persona do kenë të drejtën të vijojnë studimet, pasi kaq kuota janë miratuar për këtë vit akademik. Në programin Regji, kandidatit do t’i kërkohet nga komisioni i pranimit, hartimi i një skicë-platforme regjisoriale mbi bazën e një pjesë dramatike që caktohet aty për aty nga komisioni (tema, konflikti, personazhet, dekori, imazhi regjisorial etj). Bashkëbisedim mbi formimin e përgjithshëm kulturor në fushën e teatrit, dramaturgjisë, filmit, letërsisë në përgjithësi, arteve figurative etj. Koha në dispozicion të kandidatëve është 5 orë, një ditë. Interpretimi i materialeve të mëposhtme: monolog, tregim, poezi (koha në dispozicion të kandidatëve është 5 orë, një ditë). Etydin regjisorial mbi bazën e një teme të caktuar, që sugjerohet aty për aty nga komisioni. Koha në dispozicion të kandidatëve është 5 orë. Konkursi për programin Regjisursë do të zhvillohet në tri ditë. Në programin Skenografi-Kostumografi kandidatët do t’u nënshtrohen këtyre kërkesave: realizimi i një modeli të kompozuar nga natyra në vizatim ose pikturë (koha 5 orë); krijimi i një projekti skenografik ose kostumografik; testim teorik me shkrim mbi formimin e përgjithshëm kulturor dhe profesional në fushën e teatrit, letërsisë dhe muzikës (në formimin profesional duhet të kenë njohuri teorike për specifikën e skenografisë, kostumografisë, pikturës, vizatimit dhe Historisë së Arteve Figurative). Konkurrenti duhet të paraqesë dosje personale, e cila duhet të ketë kompozime. Dosja dorëzohet ditën e fundit të konkurrimit, mbi të cilën do të bëhet bashkëbisedim me komisionin. Konkursi në programin Skenografi-Kostumografi bëhet në tre diti. Telajoja, letra bojërat do të përballohen nga vetë kandidati. Në Koreografi konkursi i pranimit zhvillohet në një fazë, kandidatët duhet të bëjnë ushtrime klasike baleti, demonstrim i një variacioni nga baletet e ndryshme botërore dhe shqiptare, kompozim nga kandidati për ndërtimin e një motivi klasik si dhe popullor 2/4, dhe 3.4. ekzekutim i një pantomime sipas kërkesës së komisionit, përgatitja e një libreti koreografik dhe demonstrim i gjuhës shprehëse, tema jepet nga komisioni, bashkëbisedim rreth njohurive teorike praktike mbi Folklorin Shqiptar. Konkursi zhvillohet në tri ditë. Edhe në programin Regji Filmi dhe TV, konkursi do të zhvillohet në tri ditë, ku në ditën e parë do të bëjnë hartimin e një skicë-platforme regjisoriale në bazë të një tregimi, novele apo historie të shkurtër që caktohet nga komisioni pranues. Njohuri mbi përdorimin e aparatit fotografik me film. Bashkëbisedim për formimin kulturor, etydin regjisorial mbi baza fotografie të një teme. Sa i takon Fakultetit të Muzikës, kriteret e pranimit ndryshojnë në varësi të veglës muzikore. Vlerësimi maksimal për çdo konkurrent është gjithsej 100 pikë. Vlerësimi për çdo kandidat bëhet nga komisioni i pranimit të programit të studimit.
Artet e bukura
Në Fakultetin e Arteve të Bukura, FAB, konkursi do të mbështetet në tri rubrika kryesore, të cilat janë: punë praktike në atelie (pikturë, skulpturë, vizatim), testimi teorik dhe prezantimi i dosjes personale (jo më pak se 20 punime). Për punën praktike, tema e veprës që do të kërkohet është studimi dhe interpretimi nga natyra, duke iu referuar figurës së njeriut dhe do të zgjasë dy ditë nga 5 orë. Ndërkohë që kandidatët duhet të kenë me vete edhe bazën materiale, si: letër vizatimi, telajo pikture si dhe të gjitha mjetet e tjera plotësuese për të realizuar një vepër në vizatim apo në telajo. Ndërkaq, testimi teorik do të ndahet në tri faza, ku në të parën do të përfshihet përgjigjja direkte mbi tezën e zgjedhur rreth historisë së artit. Faza e dytë do të përmbajë intervistën e kandidatit nga anëtarët e komisionit vlerësues, ndërsa faza e tretë është shqyrtimi i dosjes personale, e cila përmban një grup punimesh të kryera prej kandidatit gjatë viteve të fundit.
Universiteti i Sporteve
Maturantët që dëshirojnë të studiojnë në këtë universitet në fund të muajit gusht do t’i nënshtrohen testit praktik, nëpërmjet të cilit fitojnë 60% të pikëve. Por para garës, të gjithë kandidatët duhet të bëjnë një sërë analizash mjekësore. Kandidatët duhet të bëjnë vizitë te kardiologu, E.K.G me shpjegim bashkangjitur, analizë gjak komplet, urinë komplet, vizitë të përgjithshme te kirurgu dhe të sqarohet nëse është bërë operim më parë dhe pse, vizitë te O.R.L, vizitë tek Okulisti dhe Radiologu. Kryerja e këtyre analizave është një detyrim, që duhet t’i nënshtrohen të gjithë kandidatët që do të konkurrojnë për të hyrë në këtë universitet. Ata duhet të dorëzojnë edhe kartelën mjekësore që vërteton gjendjen shëndetësore të konkurruesit në përballimin e sforcimeve fizike, dokument që do të plotësohet nga mjekët e ambulancave në çdo rreth. Te Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes, kandidatët që dëshirojnë të hynë në programet e studimit të këtij fakulteti do t’u nënshtrohen dy testeve praktike , ecje me pengesa dhe kërcimi së gjati nga vendi. Edhe në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit, kandidatët do të jenë të detyruar të konkurrojnë në dy teste: kërcim së gjati nga vendi dhe të testit kompleks koordinativ.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
Share:

0 comments:

Post a Comment

ORION DIDO - ALDO KACORRI
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts