Pse të rinjtë shqiptarë po studiojnë përsëri shkenca?

804028_438255549588603_2075810684_nPër vite me radhë, të studioje shkenca ekzakte nuk ishte dhe aq trendy. Kinemaja vetë kontribuoi duke krijuar imazhin e shkencëtarit të ri, me syze të mëdha, plotësisht të hutuar, që sa më shumë përparonte në kërkimin e tij në laborator, aq më shumë i largohej shoqërisë. Ndërkohë të studioje Fizikë në Shqipëri nuk do të thoshte aspak të kishe prirje për këtë shkencë, do të thoshte të gjeje një vend të lirë në degën që nuk plotësonte kuotat, sepse pakkush, për mos të thënë askush, shkonte me dëshirë. Por kjo nuk zgjati shumë. Zhvillimi i teknologjisë dhe vendi që zë ajo sot në shoqëri e ktheu nga e para interesin mbi degët e shkencave. Ndërkohë Ministria e Arsimit prej disa vitesh ndjek, paralelisht me këtë prirje, një politikë mbështetëse për degët teknike. Struktura dhe dinamika e pranimeve që u propozua për vitin akademik 2012-2013 i dha prioritet degëve afër tregut të
punës që janë të orientuara në IT, shkencat teknike dhe shkencat natyrore, siç kishte ndodhur edhe në dy-tri vitet paraardhëse. Rreth 1/3 e numrit të kuotave të vitit akademik që tashmë është në proces i përkasin IT, shkencave teknike, matematikës dhe fizikës. Kuotat në këto degë kanë pësuar edhe rritjen më të madhe 16 -20%.Vetëm në IT dhe fushat e lidhura me të u planifikuan të pranohen 4700  studentë ose  rreth 17% e numrit total të kuotave të reja.
Të rinjtë shqiptarë gjithmonë e më shumë zgjedhin këtë rrugë, jo më të thjeshtën, por që tashmë, përveç prestigjit të përhershëm, ka dhe tabelat që e reklamojnë. “E kemi zgjedhur sepse sot është një degë e kërkuar, inxhinierët e informacionit kërkohen shumë dhe besojmë se ka mundësi punësimi pas mbarimit të shkollës. Ishte preferenca jonë e parë në formularët e pranimit në universitet”, përsërisin njëra-tjetrën Ola Mitrushi dhe Megi Shehu, studente të vitit të dytë në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, duke shkuar për në sallën e provimit, në një nga korridoret e thella të Universitetit Politeknik të Tiranës. Ola, Megi dhe shokët e tyre të kursit janë vetëm disa nga studentët që kanë zgjedhur një nga degët më të kërkuara të viteve të fundit.
Sot kërkohen specialistë IT, kërkohen shumë! Agjencitë e punësimit, njoftimet për vende pune, sajtet e kësaj natyre e vërtetojnë këtë: një në dy-tri oferta për punë i takojnë pozicioneve të specialistëve të teknologjisë së informacionit, i cili është pothuaj i vetmi pozicion me diplomë që kërkohet kaq shumë, sa veç puna si dado dhe shërbyese në shtëpi, e konkurrojnë. Çdo fillimviti akademik, gjatë viteve të fundit, MASh ka theksuar mbështetjen që u bëhet degëve të teknologjisë së informacionit, krahas atyre teknike dhe të shkencave të natyrës. Ndërkohë, edhe vetë universitetet publike, të njohura për mungesën e fleksibilitetit, kanë nisur të ofrojnë degë të reja dhe profile që kanë të bëjnë me teknologjinë e informacionit. Janë krijuar degë të reja si Bioteknologjia te Shkencat e Natyrës, Inxhinieria Matematike apo Inxhinieria Fizike në Universitetin Politeknik, që u janë shtuar fakulteteve hijerënda. Gjithashtu fakulteti i Teknologjisë së Informacionit në UPT ka shtuar vitet e fundit degën e Telekomunikacionit. “Kjo është dega më e re e këtij fakulteti. Kjo fushë ka perspektivë dhe prandaj e kam zgjedhur”, thotë një studente e vitit të dytë, e cila dy vjet më parë e vendosi të parën në listën e zgjedhjeve këtë degë dhe e fitoi për shkak të notave shumë të mira të shkollës së mesme. Gjë që vlen për shumë studentë të tjerë të këtij fakulteti. “Në gjimnaz kisha shumë prirje në lëndët shkencore. Dhe aty kam ndarë mendjen që drejtimi im do ishte nga degët inxhinierike, elektronikëinformatikë. Duke qenë se informatika kishte filluar të kishte shtrirje kudo, vendosa për Informatikën, sepse e shihja si një degë që të ofronte më tepër mundësi punësimi”, thotë Kamelia Papa, e cila tani po vazhdon studimet master në këtë degë. Më afër se në fillim të shkollës me tregun e punës, ajo nuk i sheh perspektivat aq të ndriçuara se në fillim, për hir të së vërtetës, megjithatë shpresat janë ndoshta edhe më të mëdha se për shoqet që do diplomohen në të tjera degë.
 A përgatiten profesionistët që kërkon tregu, apo vetëm diplomat?
Kjo është tema kryesore e çdo artikulli mbi arsimin e lartë sot në botë: hendeku mes teorisë që ofrojnë universitetet dhe nevojës për aftësi praktike që kërkon tregu i punës. Një hendek që nuk ka si të mos ndihet edhe në Shqipëri, aq më tepër në degë të tilla teknike, ku dhe pajisjet janë shumë të kushtueshme. “Shkolla të jep formim vetëm nga ana teorike. Kjo është edhe mangësia e sistemit shkollor publik, sepse studentët që mbarojnë shkollën nuk janë të gatshëm për tregun e punës, sepse nuk janë të përgatitur praktikisht. Për të gjetur punë në profesion për një të sapodiplomuar është shumë e vështirë, gati e pamundur, sepse në njoftimet për punë kërkojnë persona me shumë njohuri teknike, që ne nga shkolla na mungojnë”, vazhdon Kamelia. Ndërkohë, një studente e vitit të tretë, e Teknologjisë së Informacionit, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, pranon, pa dashur të identifikohet, se procesi mësimor dhe baza laboratorike lënë shumë për të dëshiruar. “Ne mësojmë pa kompjutera. Pedagogët na thonë që ta punojmë në shtëpi me lap-top-ët tanë”, thotë ajo. Mungesa e pajisjeve në universitetet tona e lëkund optimizmin e zhvillimit që po marrin degët teknike në Shqipëri. Flasim për vlerën e përgatitjes së profesionistëve që i përgjigjen kërkesave të tregut dhe jo thjesht diplomave, të cilat ndonjëherë joshin 18-vjeçarët thjesht me emrin e ri e premtues. Bioteknologjia është një nga departamentet e reja në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, programi Bachelor i të cilit nisi në vitin 2009. Një nga synimet e tij është të nisë një fazë të re në zhvillimin e bioteknologjisë së aplikuar dhe kërkimit shkencor në institucionet arsimore dhe ato industriale në vendin tonë. Por a ka vendi ynë hapësira mjaftueshëm për të tillë profesionistë? Një student i vitit të parë të kësaj dege, i cili e ka zgjedhur atë sepse e ka tërhequr si fushë, nuk di të përgjigjet. “E zgjodha sepse është një degë e re, ka pak studentë, vetëm 80 dhe mendoj se ka perspektivë. Unë kam një ide se çfarë mund të bëj me këtë diplomë, por në fakt nuk e di mirë sa mundësi konkrete ekzistojnë këtu te ne”, thotë Klajdi Rrasa, student i vitit të parë në degën e Bioteknologjisë.
Në Britani, të studiosh shkencë është cool
Në Britani i quajnë STEM, duke marrë shkronjën e parë të katër fushave të cilat po tërheqin një numër gjithmonë e më të madh studentësh: shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Shifrat e fundit tregojnë se gjatë vitit akademik 2011-‘12, numri i studentëve që synojnë të regjistrohen në këto degë është rritur me 5.7% krahasuar me 2009-‘10. Arsyet janë të shumta. Studentët thonë se duke studiuar në këto fusha CV-ja mbushet vetë. Fillimi herët i orëve të mësimit dhe ditët e gjata në shkollë të përgatisin për botën e punës. Pastaj, të punosh me profesorët më të mirë të asaj fushe, të përdorësh pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë është shumë joshëse për të rinjtë britanikë.
 Klasifikimi i universiteteve: Teknologjia fiton mbi traditën
 Në disa nga klasifikimet e njohura botërore, përfshirë atë më të referueshmin e Times Higher Education, universiteti më i mirë në botë për vitin 2012 renditej California Institute Technology i Shteteve të Bashkuara. Ai ka lënë pas në këtë renditje  universitetin e Stanford, dhe të Oxford-it të renditura të parat në kategori të tjera, si atë të arteve apo shkencave humane. CIT është një universitet privat i orientuar në degët e shkencave teknike dhe inxhinieritë. Sigurisht që e kryeson këtë kategori universitetesh ashtu si dhe atë të shkencave të natyrës në renditjet specifike. Ajo që bie më shumë në sy është që ai ka kaluar bindshëm në renditje universitete me më traditë në botë, si Oxford, Cambridge apo Harvard.

Share:

0 comments:

Post a Comment

ORION DIDO - ALDO KACORRI
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts