ESE: LIDERSHIPI

Një diplomat i mençur është shprehur, se popujt testojnë zgjuarsinë e inteligjencën e tyre sa herë gjenden përpara kutive të votimit.
Të zgjedhësh një lider për të drejtuar nuk është e lehtë, aq më pak në vendet me problematika të theksuara dhe të prekshme, sikundër Shqipëria.
Një lider është së pari një individ, që e dashuron vendin dhe popullin, pjesë e të cilit është. Vizioni i tij për ardhmërinë dhe tashkohësinë nuk mund të jetë i zakontë. Sytë e tij duhet të shohin thellë në problematikat e dukshme a të padukshme të bashkëkombasve.
Një lider pozitiv për vendin, jo domosdoshmërisht duhet të ketë në kornizën e tij të diplomës 10-a të rreshtuara, por një aftësi për të prekur aty ku problematikat rrezatojnë një dritë të gjelbër, nga ku mund të nisë ndryshimi.
Bota njerëzore është ndërtuar e tillë, nga më e thjeshta tek më e ndërlikuara, nga e njohura tek më pak e njohura. Një lideri nuk mund t`i mjaftojnë vetëm fjalët. Oratoria dhe elokuenca është veç një formë, që mbetet e pavlerë nëse nuk alternohet me përmbajtjen e produktin që ky lider është i aftë të prodhojë.
Oratoria mund të prekë dhe të emocionojë një çast, dy, një herë, disa, por njerëzit e lodhur nga fjalët dhe zhgënjimet, çdo herë të re janë të prirur të shohin një lider ndryshe, që është më pranë tyre, që ka dëshirë t`i dëgjojë e kuptojë, që mund të jetë modeli dhe pasqyra e tyre më e mirë, kudo ku ky i fundit ka fatin dhe detyrën të prezantojë zërin e tyre.
Lidershipët prodhohen padyshim në shkollat tona, ku më së pari duhet të synohet farkëtimi i vlerave më të mira të kombit e t`i jepet nxitje risive. Një formulë matematike, nëse nuk përsëritet përherë ka gjasa të harrohet e të flejë përgjithmonë në kutizat e trurit të njeriut, por sjellja, etika, respekti për tjetrin, maturia e formësimi i individit me vlerat më supreme qytetare, është ai më i rëndësishmi.
E ndjejmë përditë, e prekim kudo, në rrugë, spital, në auditoret ku dija kultivohet e ndoshta dhe në parlament ku ngjizen modelet e sjelljes e kulturës, se ne nuk dimë të vendosim ura komunikimi e po kështu, nuk kemi durimin të presim mendimin e tjetrit. Padyshim, që sjelljet e rrëmbyera e të papjekura prodhojnë veç rrëmbim.
Bota jonë është e madhe dhe `shoqëria e dijes` tashmë, po synon t`i largojë kufijtë intelektualë. Sfidat janë të shumta, por jo të pakapërcyeshme, nëse kujdesi dhe trajtimi nisin nga A-ja. Dikur me dhimbje artikulohej për vendin tonë, se truri i kombit ishte larguar apo tkurrur e ato kanë qenë vite vërtet të dhimbshme. Gjurmët e tyre me siguri do të ndjehen edhe për shumë kohë të tjera. Por, kur mendimet përplasen, garojnë e alternohen nuk ka se si të mos mundin të prodhojnë një realitet shumëngjyrësh prej të cilit të gjenerohen liderë multidimensionalë, të denjë të përballojnë sfidat e vendeve, produkt i të cilëve janë, por tashmë më pak të kufizuar prej kufijve të ndarjes dhe unicitetit kulturor.
Dea Nini
Share:

0 comments:

Post a Comment

ORION DIDO - ALDO KACORRI
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts