Matura 2016, si të aplikoni për të fituar universitetin

Rregullat e reja të pranimeve sipas ligjit të ri për arsimin e lartë kanë ndryshuar edhe procedurën se si do të aplikojnë maturantët në universitete.

Thuajse të gjithë kanë plotësuar Formularin A1, duke zgjedhur lëndët me zgjedhje që do të japin provim gjatë muajit qershor, por nuk dinë se çfarë do të bëhet më tej me fatin e tyre. Të gjithë procedurën dhe afatet e aplikimeve i sqaron drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Rezana Vrapi.

Edhe këtë vit, rruga e pranimeve do të kalojë përmes AKP-së, e jo Qendrës së Shërbimeve Arsimore, siç parashikon ligji.


Por deri në daljen e udhëzimeve nga Ministria e Arsimit, kjo agjenci do të luajë rolin e saj si në vitet e kaluara. Me reformën universitare, Matura Shtetërore nuk do të jetë më me funksionin e saj të dyfishtë, por do të jetë vetëm dalëse, apo për diplomimin e maturantëve.

FORMULARI I APLIKIMIT

Prej muajsh është thënë që nuk do të ketë Formular A2 si vitet e kaluara, por ende nuk ka asnjë udhëzim se ku do të drejtohen maturantët.

Drejtoresha bën me dije se një dokument i ngjashëm me A2 që do të quhet “Formulari i Aplikimit” do t’u ofrohet maturantëve të rij e të vjetër për të aplikuar në universitete.

“Në sistemin e AKP-së janë regjistruar të gjithë maturantët që do të jenë pjesë e Maturës Shtetërore, njëkohësisht të gjithë aplikantët mbetës të viteve të kaluara.

Të gjithë ata që dëshirojnë të ndjekin studimet e arsimit të lartë duhet të aplikojnë online në sistemin e AKP-së përmes ‘Formularit të Aplikimit’”, sqaron Vrapi.

Formulari që këtë vit plotësohet për herë të parë do të ketë të njëjtin numër preferencash. “Secili nga maturantët do të shfaqë dëshirën e vet në 10 programe dhe në momentin e caktuar këto do t’i bëhen të ditura secilit universitet.

Do të ishte mirë që më parë të gjitha universitetet të kenë pasqyruar saktë e qartë në faqet e tyre kriteret e reja të pranimeve”.

Përpara se maturantët të vendosin, do të ishte mirë konsultimi me secilën nga këto faqe për t’u informuar paraprakisht mbi programet e studimit për të parë përputhshmërinë e asaj çfarë ata pretendojnë dhe asaj çfarë përmbushin për një program të caktuar.

Për këtë maturantët duhet të mendojnë që tani, pasi menjëherë pas provimeve të maturës, në fundin e muajit korrik ata duhet të kenë zgjedhur preferencat e tyre, të cilat do t’i hedhin në formular në javën e parë të gushtit.

Në fund të procesit, të gjitha institucionet e arsimit të lartë do të njihen me aplikimet për të kryer më pas përzgjedhjen e më të mirëve.

BESARTA BASHA

Share:

0 comments:

Post a Comment

ORION DIDO - ALDO KACORRI
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts