Pranimet e reja, deri në 50% rritje te Politekniku

Krahas formulës për pranimet e reja, universitetet kanë përcaktuar edhe numrin e studentëve që do të rekrutojnë për vitin akademik 2016-2017.

Universiteti Politeknik
Në të parin vit të implementimit të ligjit të ri të arsimit të lartë, që lë në dorë të universiteteve vendosjen e kuotave, kritereve e deri tek autonomia financiare, Universiteti Politeknik ka vendosur të rrisë numrin e pranimeve me të paktën 300 studentë më shumë nga vjet.

Deri më tani, pagesa e shkollimit të studentëve është parë si burimi kryesor i financave të fakulteteve, pjesa më e madhe e të cilave shkonte për pagat e pedagogëve. E vetmja ndërhyrje e qeverisë në arsimin e lartë është mesatarja 6 e gjimnazit, kusht për çdo maturant që aplikon për në fakultet.

PRANIMET


Pavarësisht ankesave për ambientet e pakta, gjashtë fakultetet e universitetit politeknik, kush më shumë e kush më pak do të pranojnë këtë vit më shumë. E përkthyer ndryshe, kjo nënkupton më shumë mundësi për maturantët që të ndjekin degën e dëshiruar apo qoftë të mos mbeten jashtë dyerve të fakultetit.

Dega më e lakmuar në Politeknik, Inxhinieria e Ndërtimit, do të presë këtë vit 150 studentë, ose 50% më shumë se një vit më parë. Rritje kanë pësuar dhe degë të tjera të po këtij fakulteti: Inxhinieria e Mjedisit dhe Hidroteknike, të cilat hapin dyert për 30 studentë më shumë, krahasuar me vjet. Edhe në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, në të katër degët e saj, do të pranohen së paku nga dhjetë studentë më shumë.

Në atë të Inxhinierisë Elektrike, në të dy profilet e saj do të hyjnë përkatësisht nga 15 studentë më tepër. E vetmja degë që pëson ulje, ndoshta për shkak të kërkesave të pakta, është ajo e Inxhinierisë Mekatronike, së cilës i janë caktuar 35 studentë, nga 60 që u pranuan vitin e kaluar.

Numri i pranimeve i është përshtatur edhe trendit të kohës. Teknologjia e Informacionit me të tri profilet e saj: Inxhinieri Elektronike, Telekomunikacioni dhe Informatike kanë përkatësisht nga 100 kuota, nga 60 që kishin para një viti. I vetmi fakultet që nuk njeh rritje këtë vit, është ai i Gjeologji-Minierave, ku disa degë ofrojnë të njëjtat ose më pak kuota nga vjet. Inxhinieria Matematike e Fizike, që përbëjnë një fakultet më vete, kanë pësuar një rritje të lehtë.

UNIVERSITETET E TJERA

Sipas informacioneve që disponon gazeta, Mjekësia dhe Bujqësori kanë vendosur të pranojnë të njëjtin numër studentësh me një vit më parë. I vetmi që ka dalë kundër rrymës, është Universiteti i Tiranës, i cili që në krye të herës ka bërë me dije se kuotat e pranimeve nuk do të vendosen që tani, por pas aplikimit të maturantëve. “Maturantët mund të aplikojnë në degët që dëshirojnë dhe kuotat do të vendosen pasi të shohim kërkesat në degë dhe fakultete të Universitetit të Tiranës.

Dekanët do të vendosin duke pasur parasysh standardet cilësore”, ka sqaruar rektori Dhori Kule. Gjithsesi, për të ngjallur optimizëm te maturantët në vitin e parë të aplikimit të formulës së re të pranimeve, Kule ka përmendur se do të ketë një rritje të lehtë në disa degë. Në fjalën publike për mediat, ai ka përcaktuar se fituesit mund të shpallen që në muajin korrik, e jo në shtator siç ka ndodhur deri më tani.

Share:

0 comments:

Post a Comment

ORION DIDO - ALDO KACORRI
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts