Pa akreditim, s'njihen diplomat në shtet

TIRANE- Diplomat që merren në universitetet publike, duke filluar nga viti i ardhshëm rrezikojnë të mos njihen nga shteti shqiptar. Neni 106 i ligjit të ri për arsimin e lartë përcakton se diplomat e lëshuara nga institucionet e paakredituara nuk njihen. Madje, nëse Universiteti nuk akreditohet, nuk mund të lëshojë diploma.

“Në rast se institucioni i arsimit të lartë nuk akreditohet institucionalisht apo për program studimi, ai nuk mund të lëshojë diploma për programet përkatëse të studimit që ka ofruar”, thuhet në pikën 5, të nenit 106 të “Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor”.

 Zbatimi
Sipas Ministrisë së Arsimit ky nen deri tani nuk është zbatuar, por duke filluar me miratimin e akteve nënligjore për arsimin e lartë, Universitetet Publike duhet të akreditohen, në të kundërt studentëve që do të marrin diplomën vitin tjetër, nuk do tu njihen studimet, që përkthehet në një diplomë të pavlefshme.

“Ka qenë e përcaktuar edhe me ligjin e vjetër, por tashmë të gjitha institucionet e arsimit të lartë duhet të akreditohen, përfshirë edhe universitetet shtetërore dhe ky proces do të nisë edhe pas ristrukturimit të Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë. Normalisht universitetet e paakredituara nuk do tu njihen diplomat ashtu siç e parashikon ligji i ri”, - thotë zyrtarisht Ministria e Arsimit.

Por cili është statusi i universiteteve publike sot? Nga lista që ka siguruar gazeta, asnjë prej universiteteve publike në vend nuk është i akredituar. i vetmi institucion që ka aplikuar është Universiteti Politeknik i Tiranës i cili është në proces akreditimi.

Universiteti i mjekësisë, Universiteti i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti i Arteve, Universiteti Luigj Gurakuqi, Shkodër, Universiteti "Aleksandër Xhuvani" Elbasan, Universiteti Eqerem Çabej, Gjirokastër, Universiteti Fan S. Noli, Korçë, Universiteti Aleksandër Moisiu, Durrës, Universiteti Ismail Qemali, Vlorë dhe Universiteti i Sporteve i Tiranës janë të gjithë të paakredituar. Në të gjitha universitetet publike janë rreth 60 mijë studentë që vazhdojnë studimet në ciklin “Bachelor”

Akreditimi vetëm për 6 vjet
Ligji i ri për arsimin e lartë parashikon se për të gjitha institucionet e arsimit të lartë, akreditimi do të jetë i vlefshëm vetëm për 6 vjet. Gjithashtu, është kusht që universitetet përpara se të lëshojnë diploma të kryejnë akreditimin institucional.

“Akreditimi i parë institucional dhe ai i programeve kryhen përpara lëshimit të diplomave të para nga një institucion i arsimit të lartë. Akreditimi institucional i paraprin atij të programeve të studimit. Vlefshmëria e çdo akreditimi institucional dhe e programeve të studimit që lidhen me të nuk mund të zgjasë më shumë se 6 vjet”, - përcakton neni 106 i ligjit për arsimin e lartë në lidhje me procesin e akreditimit.

Të akredituar vetëm 10 universitete private, 11 në proces
Ndryshe nga universitete publike, ato private kanë përparuar me procesin e akreditimit institucional. Nga lista e 37 institucioneve të arsimit të lartë, 10 prej tyre (të gjitha privatë) kanë marrë akreditimin nga Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë. Nga lista vihet re që edhe 11 institucionet e tjera private janë në proces akreditimi ose brenda afateve të akreditimit.

Sipas APAA=it, privatët kanë arritur të marrin akreditimin për shkak se kanë aplikuar që në fazat e para, ndërkohë që nga universitete publike ka aplikuar vetëm Universiteti Politeknik.

Risia
Me miratimin e ligjit të ri për arsimin e lartë institucionet e  arsimit të lartë publike dhe private do të kenë Kod Cilësie ku do të përcaktohen stadardet e cilësisë. “Kodi i Cilësisë së Arsimit të Lartë është dokumenti kryesor për të gjitha proceset dhe procedurat e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.

Ai përcakton standardet shtetërore të cilësisë, të detyrueshme për zbatim prej institucioneve të arsimit të lartë. Kodi i Cilësisë së Arsimit të Lartë hartohet nga ASCAL dhe ministria përgjegjëse për arsimin dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, - përcakton ligji i ri. Edhe ky akt nënligjor pritet të miratohen brenda disa muajve nga qeveria.

Lista e Universiteteve Publike dhe statusi i tyre
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë            I pa akredituar
Akademia e Forcave të Armatosura     I pa akredituar
Universiteti i Tiranës                           I pa akredituar
Universiteti Bujqësor i Tiranës             I pa akredituar
Universiteti i Arteve                            I pa akredituar
Universiteti Luigj Gurakuqi, Shkodër    I pa akredituar
Universiteti "Aleksandër Xhuvani" Elbasan    I pa akredituar
Universiteti Eqerem Çabej, Gjirokastër         I pa akredituar
Universiteti Fan S. Noli, Korçë                     I pa akredituar
Universiteti Ismail Qemali, Vlorë                  I pa akredituar
Universiteti Aleksandër Moisiu, Durrës         I pa akredituar
Qendra e Studimeve Albanologjike              I pa akredituar
Universiteti i Sporteve i Tiranës                   I pa akredituar
Universiteti Politeknik i Tiranës                   Në proces akreditimi


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21Tetor 2015

Share:

0 comments:

Post a Comment

ORION DIDO - ALDO KACORRI
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts